Vendet e LSI në komisione, Basha braktis seancën: E nisët me shkeljen e rregullores

TIRANË 13 shtator /ATSH-I.Vata/ Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha së bashku me deputetët e tjerë të Partisë Demokratike, ka braktisur ditën e sotme sallën e Kuvendit duke bërë përgjegjëse mazhorancën se ka shkelur rregulloren.

Shkak është bërë kërkesa e deputetit të LSI-së Petrit Vasili, i cili kërkoi sqarim se pse 4 deputetët e LSI nuk ishin përfshirë në komisionet parlamentare. Ai kërkoi ndërprerjen që edhe LSI të përfshihej.

Propozimi i Vasilit u mbështet nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, por kjo hasi në kundërshtimin e Bashës.

“Praktikisht nuk kemi pasur asnjë lloj komunikimi nga Kuvendi, kjo ka bërë të pamundur të deklarojmë praninë tonë në komisionet përkatëse”, tha Vasili.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj propozoi ndalimin e seancës për ti dhënë mundësi LSI-së të bëjë propozimet.

Përbërja e komisioneve solli debat të fortë mes Bashës dhe Ballës.

Pasi Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla propozoi për të miratuar vetëm Byronë e Kuvendit ditën e sotme dhe miratimin nga shumica e deputetëve, Basha iu drejtua Nikollës para se të braktiste sallën bashkë me deputetët demokratë.

“E keni nisur mbarë duke shkelur rregulloren, merr urdhër si ushtare, turp të të vijë, e çfarë pushteti ke, çfarë mendon se është kjo, me çfarë pushteti?! Je manekine, merr urdhër nga ai që s’duhet të ishte në sallë”, iu drejtua Basha, Nikollës.

Basha i shoqëruar me Agron Gjekmarkaj ka lënë sallën dhe ka shkuar në selinë e PD-së.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.