Transportonte 7 emigrantë të paligjshëm, arrestohet 27-vjeçari në Lezhë

TIRANË, 13 shtator/ATSH/ Policia e Lezhës ka arrestuar një 27-vjeçar pasi është kapur duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Në njoftimin e Policisë së shtetit bëhet e ditur se, “në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, Policia e Lezhës, pas informacioneve të marra në rrugë policore se një automjet tip “ Volkswagen ” po transportonte klandestinë drejt Kosovës, arrestoi në flagrancë shtetasin B.D., 27 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë”.

“Ky shtetas u kap në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë në Rubik, Mirditë, duke transportuar me automjetin tip “Volkswagen”, 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës”, informon Policia e Shtetit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.