Pezullim nga detyra për punonjësin e policisë së Durrësit, ekzekutohet vendimi

TIRANË 13 shtator /ATSH-I.Vata/ Drejtoria rajonale e SHÇBA Durrës ka ekzekutuar vendimin penal të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të punonjësit të Policisë pranë DVP Durrës, nënkomisar F. S., i dyshuar për “shpërdorim detyre”.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka marrë vendimin penal duke caktuar masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre e funksioni publik” për shtetasin F. S., 30 vjeç, me detyrë Specialist shërbimi dhe OPGJ në sektorin e Qarkullimit Rrugor pranë DVP Durrës, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre”.

Ky punonjës dyshohet se në periudha të ndryshme kohore dhe në raste të përsëritura, nuk ka kryer veprime të plota hetimore sipas nenit 293/1 të Kodit të Procedurës Penale, si edhe neneve 18, 23 të ligjit për Policinë e Shtetit dhe Rregullores së Policisë së Shtetit, duke mos i referuar materialet proceduriale pranë Prokurorisë, por duke i trajtuar në mënyrë administrative.

“SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90”, thuhet në njoftim. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.