Kombëtarja e futbollit të femrave, Grima: Grup i vështirë, shpresoj të jemi ne surpriza

TIRANË 13 shtator /ATSH-I.Vata/ Kombëtarja shqiptare e femrave ka nisur që prej ditës së shtunë grumbullimin për dy ndeshjet zyrtare kualifikuese ndaj Kosovës dhe Belgjikës, të vlefshme për Kampionatin Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Trajneri Armir Grima, në një prononcim për fshf.org ka folur në lidhje me këto dy sfida, ku ka theksuar se skuadra do të japë maksimumin në këtë fushatë të re eliminatoresh, teksa u ndal te ndeshja e parë që do të luajnë ndaj Kosovës, duke thënë se detyra kryesore e ekipit është të marrë tre pikëshin.

Pavarësisht grupit të vështirë, ku Shqipëria është shortuar në grupin F, së bashku me Norvegjinë, Poloninë, Belgjikën, Kosovën dhe Armeninë, Grima u shpreh optimist dhe besimplotë se ekipi i krijuar prej tij mund t’ia dalë.

Në fund, ai bëri një thirrje për të gjithë tifozët, duke i ftuar të mbështesin vajzat kuqezi në sfidën e ditës së enjte (16 shtator) ndaj Kosovës, që do të luhet në “Elbasan Arena” duke nisur nga ora 19:00. Më 21 shtator, Kombëtarja e femrave do të luajë ndaj Belgjikës në transfertë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.