Kim: SHBA mbështesin fuqishëm zbatimin e Reformës në Drejtësi

TIRANË 13 shtator /ATSH-I.Vata/ Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim me komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në rrjetin social Twitter, Kim shkruan se Shqipëria ka nevojë për një sistem drejtësie profesional, efikas dhe larg korrupsionit, jo vetëm sepse është kusht për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por edhe sepse shqiptarët nuk meritojnë asgjë më pak.

Ambasadorja tha se SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi, përfshi edhe procesin e Vetingut.

“U takova me anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për t’i falënderuar për përshpejtimin e procesit të Vetingut të gjykatësve dhe prokurorëve, pavarësisht sfidave. Vetingu me integritet dhe pavarësi është themeli i Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Procesi duhet të jetë i lirë nga presioni i panevojshëm, përfshirë sulmet ndaj komisionerëve”, u shpreh Kim.

“Shqipërisë i duhet një sistem drejtësie profesional, efikas dhe i çliruar nga korrupsioni, jo vetëm se është thelbësor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por edhe sepse populli shqiptar meriton këtë dhe asgjë më pak se kaq. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm zbatimin e reformës në drejtësi, përfshi edhe procesin e Vetingut”, shkruan ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.