Fizioterapisti i Kombëtares humb betejën me COVID-19, mesazhe ngushëllimi

TIRANË, 13 shtator/ATSH/ Presidenti Ilir Meta shprehu sot trishtimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të fizioterapistit Ylli Mihali, kontributor i palodhur për gati tri dekada, për sukseset e ekipit tonë Kombëtar.

“Ngushëllime familjes, miqve dhe kuqezinjve, të cilëve u shërbeu me dashuri dhe përkushtim”, tha Meta.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi se, prej 30 vjetësh, Ylli Mihali shërbeu me përkushtim, duke lënë pas një kujtim të pashlyeshëm për të gjithë ata që e njohën.

“Ylli Mihali mjeku fizioterapist i kuqezinjve, njeriu kyç që për vite të tëra u kujdes për fizikun e djemve të Kombëtares, nuk ia doli betejës së tij më të rëndësishme, asaj për jetën kundër armikut të padukshëm COVID-19. Bashkohem me dhimbjen e miqve të Yllit dhe të krejt komunitetit sportiv, në këtë ditë kaq të zymtë për familjen e tij, e për kuqezinjtë që ishin familja e dytë e këtij njeriu të mirë e profesionist, që prej 30 vjetësh shërbeu me përkushtim, duke lënë pas një kujtim të pashlyeshëm për të gjithë ata që e njohën”, tha Rama.

Edhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka shprehu hidhërimin për lajmin e kobshëm se Ylli Mihali, njeriu i mirë, fjalëpak, u nda nga jeta pas një betejë të gjatë e stërmunduese me COVID-19.

“Ky është një moment i vështirë për të gjithë futbollin shqiptar, që e njohu dhe e dashuroi aq shumë Yllin, që emrin e reflektonte në ҫdo hap dhe moment të jetës së tij. Një fizioterapist dhe një njeri i jashtëzakonshëm që shërbeu për 27 vite pranë ekipit tonë Kombëtar, pranë klubit të tij Tiranës, pranë sportistëve në vështirësi, duke qenë pranë tyre në ҫdo situatë”, tha Duka.

“Humori, dashuria për njerëzit, dhembshuria e Yllit do të na mungojnë. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe. Lamtumirë Yll, do të të kujtojmë gjithmonë me dashuri”, tha Duka.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.