53.2 miliardë lekë më shumë në buxhetin e shtetit krahasuar me 8-mujorin 2020

TIRANË, 13 shtator/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura në buxhet gjatë 8-mujorit të këtij viti  u realizuan në masën 324 miliardë lekë, ose 103 % të planit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se krahasuar me një vit më parë të ardhurat kanë rritje prej 53.2 miliardë lekë.

“Lajm i mirë! 53.2 miliardë lekë më shumë në buxhetin e shtetit krahasuar me 8-mujorin 2020. Treguesit fiskalë të janar – gusht 2021 tregojnë se ekonomia shqiptare po vijon të performojë pozitivisht. Mbetemi të angazhuar në realizimin e planit të të ardhurave dhe shpenzimeve”, deklaroi Denaj.

Sipas të dhënave të publikuara nga MFE, të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 119.1 miliardë lekë, 23 miliardë lekë ose 23.9 % më shumë se 8-mujori 2020, si dhe 9.2 miliardë lekë ose 8.4 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 8-mujorin e vitit 2021.

Ndërsa të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 8 mujorin 2021 u realizuan në masën 162.7 miliardë lekë, 21.1 miliardë ose 14.9 % më shumë se 8 mujori i vitit të kaluar, si dhe 2.4 miliardë lekë, ose 1.5 % më shumë se plani i 8-mujorit 2021.

Ndërkohë, shpenzimet e përgjithshme publike arritën në rreth 355.3 miliardë lekë me një realizim në masën 94.9 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 9.6 % më i lartë, ose rreth 31.16 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 8-mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 99 % dhe 60 % të planit të periudhës.

Niveli i deficitit për periudhën 8-mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 31.06 miliardë lekë, ose 22.07 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën janar-gusht niveli i deficitit rezulton 51.9 % e planit të periudhës prej rreth 59.85 miliardë lekë.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.