Fotogaleri- “Festa e Lakrorit” në Polenë, tradita vazhdon

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Atmosferë festive me lakrorin e pjekur në saç, gatime të tjera tradicionale dhe muzikën e bukur korçare solli Festa e Lakrorit zhvilluar nga bashkia e Korçës, për të trembëdhjetin vit radhazi, në fshatin Polenë.

Në këtë festë u ndërthur gatimi tradicional me vallet popullore, lojërat dhe shumë elementë të tjerë që ruajnë dhe promovojnë traditën korçare.

Qytetarë, vizitorë dhe turistë iu bashkuan festës në fshatin Polenë, për të shijuar lakrorin e sapopjekur në saç dhe për t’u argëtuar në shoqërinë e njëri-tjetrit.

Lakrori me dy petë i pjekur në saç, një prej gatimeve më të veçanta të zonës së Korçës, për të 13-in vit radhazi ofrohet për të apasionuarit e kulinarisë përmes “Festës së lakrorit”.

Kjo festë është sjellë në kuadrin e aktiviteteve, që organizon Bashkia e Korçës, për të promovuar zonën, traditën e kuzhinës korçare dhe është një vlerë e shtuar për sezonin turistik të këtij fillim shtatori.

“Festa e lakrorit” është shndërruar në një traditë të përvitshme që e kthen Korçën në epiqendrën e festimeve turistike”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.