23 vjet nga vrasja e Azem Hajdarit, reagime

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ 23 vite nga vrasja e themeluesit të Partisë Demokratike, Azem Hajdarit, një prej personaliteteve më të rëndësishme të viteve të para të pluralizmit në Shqipëri, PD kreu homazhe pranë memorialit të tij.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të kësaj partie vendosën kurora me lule.

“Sot, si çdo 12 shtator, përkujtojmë liderin e Lëvizjes Studentore, njeriun që ndezi shpirtrat dhe vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci, të paharrueshmin Azem Hajdari dhe mikun e bashkëluftëtarin e tij, Besim Çera”, u shpreh kreu i PD-së, Lulzim Basha.
“Vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit mbetet model frymëzimi për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit, për të luftuar me vendosmërinë e heroit të demokracisë dhe për të çuar deri në fund idealin e Shqipërisë si gjithë Europa”, vijoi ai.
“Mirënjohja dhe krenaria për Azem Hajdarin na bashkon, sidomos kur fatet e demokracisë janë të pasigurta dhe perspektiva europiane e Shqipërisë kërcënohet nga regjimi i pakicës së korrupsionit dhe krimit. Si demokratë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin më të mirë për tribunin e pavdekshëm, që sot e përgjithmonë na nxit të qëndrojmë dhe të luftojmë të bashkuar deri në triumfin e lirisë dhe demokracisë. I paharruar kujtimi i tij!”, tha Basha.

 

Meta: Mirënjohje ndaj veprës së përjetshme të Azem Hajdarit

Presidenti Ilir Meta reagoi në 23-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit.

“Nderim, respekt dhe mirënjohje ndaj veprës së përjetshme të Azem Hajdarit, udhëheqësit të ‘Lëvizjes Studentore’, që solli pluralizmin politik dhe demokracinë.
Energjia dhe guximi i tij duhet të frymëzojnë përpjekjet tona për një Shqipëri si gjithë Europa!”, u shpreh Meta.
Rudina Hajdari:
Rudina Hajdari, bija e Azem Hajdarit dhe politikane në përkujtimin e saj shkruan se “kur Azem Hajdari doli nga godina e PD mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, ai nuk e dinte se nuk do të kthehej më. As nuk e dinte se do të linte mbas një boshllëk në zemrat tona, të familjarëve të tij por edhe në të gjithë historinë që pasoi më pas vendin”.
Ajo vijon me një analizë politike, duke shtuar se “nëse atëherë të internonin apo burgosnin kur nuk mendoje në linjën e partisë, sot të përjashtojnë dhe lincojnë publikisht”.
“Nëse atëherë të pushkatonin fizikisht, sot të pushkatojnë politikisht dhe ekonomikisht.
Shqipëria do të dalë nga kjo situatë kur shumica e shqiptarëve të kuptojnë se mirëqënia dhe zhvillimi nuk vijnë nga lideri i fortë por nga sistemi i drejtë dhe institucionet e forta të cilat garantojnë demokracinë, lirinë dhe barazinë. Kur të fillojnë të mos mbështesin më parti e individë sepse prej tyre varet ushqimi i ditës por të mbështesin vizionin për ndërtimin e një sistemi i cili tu garantojë mirëqënie gjithë jetën. Kur të vendosin të mos luftojnë më thjesht për mbijetesë por për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë”, tha Hajdari.
“Drejtuesit venë e vijnë, sistemi dhe institucionet mbeten dhe i rezistojnë kohës.
Nëse Azemi do të ishte sot mes nesh, do të luftonte pikërisht për këtë. Në fakt energjia dhe kurajo e tij me siguri do ta kishin ndryshuar rrjedhën e historisë”, theksoi ajo.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.