Xhaferaj: Vendimi për Berishën në limitet kohore, eliminoi kostot afatgjata për PD

TIRANË, 11 shtator/ATSH/- Deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferaj deklaroi sot se vendimi për përjashtimin e ish-kreut të PD-së, Sali Berisha shmangu kostot afatgjata për PD dhe Shqipërinë.

Në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes së Kolegjit të Kryetarëve në PD, Xhaferaj tha se ky ishte vendimi më i vështirë i kësaj force politike.

“Është vendimi më i vështirë i kësaj partie në këto 30 vite. Duhet të kemi parasysh se çfarëdo lloj vendimi të merrej do të ishte i polarizuar dhe do të kishte kostot e veta.Edhe vendimi për të mos marrë vendim do të kishte kosto. Vendimi u mor në limitet kohore duke dhënë mesazhin se janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë për ndonjë zgjidhje tjetër. Mendoj që është një nga vendimet që merr parasysh eliminimin e kostove afatgjata për Partinë Demokratike. Dhe kosto afatgjata për PD do të thotë edhe kosto afatgjata edhe për Shqipërinë. Vazhdimi për një kohë të gjatë i kësaj mënyre qeverisje që besoj se biem dakord është kthyer në shqetësim dhe stres për shqiptarët”, tha Xhaferaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.