Spiropali: Prioritet i qeverisë në mandatin tretë, zhvillimi i ekonomisë

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Ministrja për Marrëdhëniet për Parlamentin, Elisa Spiropali e propozuar nga kryeministri Edi Rama, për të mbajtur të njëjtin post në qeverinë e re Rama 3, u shpreh se është përgjegjësi të jesh në qeveri.

Në një intervistë televizive Spiropali theksoi se “është detyrë, nuk është post, të tillë e ndjejmë, duke parë të tillë në mendje veprojmë. S’është privilegj, por detyrë, e bëj dhe  e kam për nder. Është privilegj i lartë dhe përgjegjësi sepse besimi i jashtëzakonshëm që qytetarët shqiptarë kanë investuar te ne nuk mund të nëpërkëmbet”.

Sa i përket prezencës së lartë të grave në qeveri, Spiropali tha se “Shqipëria jep një shembull shumë të mirë për sa i takon barazisë gjinore, duhet të jetë krenari, arritje e Shqipërisë. Gratë kanë treguar detyrën e marrin me shumë përgjegjësi, punën e bëjnë, madje shumë më mirë se disa burra që janë ngarkuar me përgjegjësi”.

“Është lajm shumë i mirë për Shqipërinë”, u shpreh Spiropali.

Lidhur me vendimin e kreut të PD-së, Basha për largimin e Sali Berishës, Spiropali tha se “Partia Demokratike është në një pozicion të vështirë, por qeveria do të merret me punët e mandatit të tretë”.

Ajo tha se opozita nuk është armike e tyre, por një konkurrente në një garë.

“Nuk më takon mua të gjykoj mbi këtë vendim. Është dukshëm një pozicion i vështirë, por është punë e tyre. Duhet të zgjidhin çështjet e tyre brenda partisë. Janë në një proces shumë të vështirë, por ne kemi punët të tjera. Ne jemi betuar dhe premtuar për interesin publik dhe kombëtar, për punët e mëdha që na presin për Shqipërinë e 2030, një Shqipëri europiane, të zhvilluar e me më mirëqenie”, tha Spiropali.

Ajo deklaroi se “lufta nuk është me opozitën. Për ne opozita nuk është armike, madje nuk është as rivale është konkurrente në një garë, ku ne dalim me programin tonë, me ekipin tonë dhe kërkojmë besim”.

“Ne do bëjmë gjithçka të jetë e mundur që niveli i debatit parlamentar dhe angazhimi të jetë serioz, i shkëputur nga ndikime të tilla, të angazhohemi në politikë që ka fre, moral. Do të bëjmë çfarë  të kemi në dorë që këtë standard të lartë ta mbajmë jo vetëm për veten, por dhe qytetarë e të rinjtë e këtij vendi. Të jenë krenarë për përfaqësuesit e qeverisë’’, – theksoi Spiropali.

Sa i përket sfidave dhe prioriteteve të qeverisë në 100 ditët e para dhe 4 vitet e mandatit të tretë, Spiropali tha se “ne jemi në rrugën e një progresi që është i pandalshëm, jo vetëm prej qeverisë, por dhe shoqërisë. Në 30 vite Shqipëria ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. S’ka krahasim mes asaj që ishte dikur dhe asaj që duam. Mandatin e tretë Shqipëria duhet ngjitur në një tjetër lartësi. Qeveria do të fokusohet në interesin publik dhe kombëtar. Bujqësia, energjia, infrastruktura modern nga veriu në jug, jo vetëm rrugët, edhe aeroportet, portet dhe që komunikojnë me rajonin janë prioritetet tona”.

“Kemi nevojë për ndryshime në mjedis dhe turizëm. Edhe me çeljen e negociatave kërkon angazhim të madh. Shqipëria duhet të jetë vend i pastër, ka nevojë të thithë turistë. Ashtu si infrastruktura, Rruga e Arbërit, porti i  Durrësit, aeroporti i Vlorës e Sarandës. Aeroporti i Kukës është funksional, shumë nuk e besonin, por ja ku është. Ato që them i bëjmë dhe bëjmë ato që themi”, tha Spiropali.

Lidhur me bashkëpunimin me opozitën, Spiropali u shpreh se, “ne dorën e kemi të shtrirë, ia kemi dhënë në momente shumë të vështira. Politika dhe shtet bërja jonë do të fokusohet tek e ardhmja dhe jo te shkuara. Shqiptarët janë të lodhur me këtë ndotje të hapësirës publike ku nuk gjendet gjuha e përbashkët. Në këtë fazë ku jemi, me këto kapërcime të jashtëzakonshme jemi ne ata që mund ta çojmë Shqipërinë përpara”.

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjitha çështjet që shqetësojnë opozitën. Uroj që debat të ketë, mos vazhdohet me një bojkot që nuk të çon asgjëkund. Reforma territoriale, zgjedhore nuk janë tabu për t’u diskutuar. Ne jemi të gatshëm për të gjitha çështjet. Madje kemi deklaruar se jemi të gatshëm edhe për emra, për institucione”, tha ajo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.