Deputeti i PD: 7 tendera të parafiksuara për Unazën e Tiranës

TIRANË, 11 shtator /ATSH/  Deputeti i Partisë Demokratike, Helidon Bushati anëtar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, denoncoi sot tenderat për ndërtimin e Unazës së Re në Tiranë.

“ARRSH e Ballukut do të zhvillojë 7 tendera për ndërtimin e pjesës së mbetur të Unazës së Tiranës, me vlerë 130 milion euro”, shprehet Bushati.

Sipas tij, tenderat janë të parafiksuara si llokma në tryezën e oligarkëve, por faturën e paguajnë qytetarët shqiptarë përmes taksave të tyre, që rriten përditë.

“Çdo llokmë tenderi të kësaj unaze 20 milion euro për kilometër futet në barkun e korrupsionit endemik të Edi Ramës që qeras oligarkët. Unaza e Korrupsionit të Edi Ramës do të denoncohet edhe më fort, me fakte e prova, për prokurorinë e paralizuar përballë korrupsionit që ka kapur shtetin” , deklaroi deputeti i PD-së, Bushati.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.