Arrestohet një punonjës policie për korrupsion

TIRANË, 11 shator /ATSH/ Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) njoftoi sot se, ka arrestuar një punonjës policie për korrupsion dhe ka proceduar në gjendje të lirë 2 persona të tjerë.

Sipas SHÇBA-së, në kuadër të procedimit penal, sot u bë ndalimi i punonjësit të policisë Z.H., 54 vjeç, efektiv pranë Komisariatit të Qarkullimit Rrugor Tiranë për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”.

Gjithashtu, në lidhje me këtë rast u proceduan në gjendje të lirë, dy shtetas: K.T., 20 vjeç për veprën penale “Moskallzim i krimit”; K.M., 26 vjeç për veprën penale “Korrupsion aktiv”.

Nga provat e administruara, dyshohet se gjatë kryerjes së detyrës, punonjësi i policisë ka marrë një shumë parash nga shtetasi K.M.

Sipas SHÇBA-së, hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe nëse ka të implikuar të tjerë të mundshëm.

“SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90”, thuhet në njoftimin e SHÇBA-së.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.