Spiropali: Do të luftojmë për Shqipërinë europiane

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në nisje të punimeve të Legjislaturës X të punimeve të Kuvendit deklaroi se “interesi kombëtar, interesi publik, ardhmëria, do jenë objektivat madhore që do vendosim në qendër të politikës, të qeverisjes dhe të shtetbërjes”.

Spiropali thekson se fokusi i qeverisë në këtë legjislaturë do të vazhdojë të jetë lufta për të realizuar ëndrrën për një Shqipëri të zhvilluar, të drejtë, meritokratike dhe europiane.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për besimin e jashtëzakonshëm dhe barrën e përgjegjësisë së shtuar të këtij mandati të tretë. Interesi kombëtar, interesi publik, ardhmëria, do jenë objektivat madhore që do vendosim në qendër të politikës, të qeverisjes dhe të shtetbërjes”, tha Spiropali.

Ministrja tha se “nuk do të biem në kurthin e lojërave të vjetra të axhendave personale”.

“Do të bëjmë çmos ta pengojmë luftën politike pa moral, pa parime, pa fre. Kemi bindjen e patundur se opozita nuk është armike por konkurrente. Do luftojmë pa u ndalur dhe pa u lodhur për të realizuar ëndrrën dhe premtimin tonë për një Shqipëri të zhvilluar, të drejtë, meritokratike, europiane, me më shumë barazi dhe mundësi për të gjithë shqiptarët”, tha ajo.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.