Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mori ryshfet për vaksinim antikovid, shkarkohet mjeku

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dënon me forcë aktin korruptiv të denoncuar nga emisioni investigativ “Fiks-Fare” në Top Channel, ku mjeku me inicialet K. A., shfaqet duke marrë ryshfet, duke marrë menjëherë masën e shkarkimit nga detyra të mjekut.

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor falënderon emisionin investigativ “Fiks-Fare” për denoncimin publik të këtij rasti korrupsioni dhe inkurajon qytetarët të bashkëpunojnë me autoritetet për denoncimin e rasteve të abuzimit me detyrën, apo korrupsionit nga cilido punonjës në institucionet shëndetësore.

OSHKSH inkurajon organet kompetente t’i shkojnë deri në fund hetimit dhe ndëshkimit të çdo akti korruptiv, që baltos punën e mijëra mjekëve dhe infermierëve, si dhe cenon  shërbimin për qytetarët.

Siç raporton Top Channel, ka qenë drejtori i Qendrës Shëndetësore Luz i Vogël në Kavajë, i cili ka dhënë vaksinën “Pfizer” për një qytetar nga Tirana, kundrejt dhënies së ryshfetit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version