Krifca: Me mbështetjen e AZHBR-së, të rinjtë po i rikthehen sipërmarrjeve në bujqësi

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Të rinjtë po kthejnë vëmendjen tek bujqësia, duke ngritur sipërmarrje të reja, modele të zhvillimit në sektorin rural falë edhe politikave mbështetëse të qeverisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca solli në vëmendje Martirio, një ndër shumë të rinjtë e vendit, që e shohin progresin dhe zhvillimin në bujqësi.

“Ka vënë në përdorim tokat e familjes, të cilat vit pas viti është munduar t’i shtojë dhe përmirësojë”, tha Krifca.

Në fshatin e tij në Këmishtaj të Lushnjës, ndër të tjera, Martirjo së fundmi ka mbjellë luledielli, borzilok dhe hithër të cilat i çon i sigurt në pikën e grumbullimit.

“E ka nisur me 5 hektarë, ndërsa sot ka 40 hektarë në sipërfaqe”, u shpreh Krifca, teksa bëri të ditur se, me mbështetjen e AZHBR-së, ka përfituar mekanikën bujqësore, e cila i redukton kohë dhe kosto.

“Në fermë ka të punësuar çdo sezon rreth 30 persona. Kështu, mbështetja i shërben zhvillimit”, thekson Krifca. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.