TIRANË, 7 shtator /ATSH/ Treguesit në rritje të indikatorëve ekonomikë, veçanërisht në sektorin e turizmit, gjatë këtij sezoni veror kanë rritur optimizmin e biznesit dhe konsumatorëve për një ecuri më pozitive në zhvillimin e sektorit të tregtisë dhe të shërbimeve.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, treguesi i besimit konsumator (TBK) shënoi rritje në muajin gusht të këtij viti, duke iu rikthyer rritjes të regjistruar në pjesën më të madhe të vitit.
Treguesi i përgjithshëm pasqyroi përmirësimin e të gjithë komponentëve përbërës të tij.
Konkretisht vlerësimi i konsumatorëve u rrit për blerjet aktuale në shuma të mëdha dhe pritjet për to u përmirësua në gusht.
Po kështu, edhe pritjet për situatën e përgjithshme ekonomike dhe situatën e tyre financiare u rritën lehtë.
Sipas BSH-së, portofoli i kredisë konsumatore u rrit në vlerën 31.7 miliardë lekë, në mesin e këtij viti, duke shënuar një rritje prej 1.3 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ekspertët vlerësojnë se, kredia konsumatore po i rikthehet ritmeve të rritjes si në kohën para pandemisë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e konsumit në ekonomi dhe rritjen e optimizmit të konsumatorit në ringritjen ekonomike.
/r.e/
