Agjencia Telegrafike Shqiptare

Restaurimi, kisha e Shën e Premtes në Lukovë i rikthehet besimtarëve

TIRANË 2 shtator /ATSH-I.Vata/ Kisha e Shën e Premtes në Lukovë ka rifituar vlerat e saj dhe i rikthehet besimtarëve pas restaurimit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha sot se “e mbuluar nga vegjetacioni, në rrezik humbjeje, pas restaurimit tërësor, Kisha e Shën e Premtes në Lukovë ka rifituar vlerat e saj dhe i rikthehet besimtarëve”.

Kjo kishë e tipit bazilikë (nga greqishtja e lashtë, portiku mbretëror), e ndërtuar mbi një kodër, daton që nga shekulli XVII. E pozicionuar në lagjen perëndimore të Lukovës, kisha ndodhet pothuajse e braktisur, në mes të një ullishteje.

Kisha bën pjesë në grupin e bazilikave me kupolë. Në të mund të hyhet prej dy dyerve, një në anën jugore dhe tjetra në anë perëndimore. Kisha ka gjashtë kolona, mbi të cilat kalojnë harqe. Veçanërisht e rëndësishme ishte kulla e këmbanës, e dhuruar nga mbreti i Napolit në 1695, e cila u zhduk në 1967, me shkatërrimin e shumë kishave dhe xhamive gjatë periudhës të diktaturës.

Kisha është një prej objekteve më interesantë që duhen vizituar në Lukovë, fshatin e bukur bregdetar, 20 kilometra larg Sarandës.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version