Nis mësimi plotësues, Kushi viziton shkollën e re 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi” në Durrës


TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi vizitoi sot shkollën e rindërtuar “Bedrie Bebeziqi” në Durrës, me rastin e fillimit të mësimit plotësues.

Ajo ndoqi nga afër fillimin e procesit mësimor në shkollën 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi”, një shkollë e rindërtuar nga e para me kushtet më bashkëkohore, e cila e nis mbarë mësimin me 380 nxënësit e saj.

Gjatë vizitës, Kushi theksoi rëndësinë e zbatimit të rregullave antikovid, si dhe kërkoi nga nxënësit dhe mësuesit që kjo periudhë të shfrytëzohet sa më mirë, në mënyrë që ky vit shkollor, i cili nis më 27 shtator, të jetë sa më i mbarë.

Shkolla është rindërtuar falë financimit të Fondit Shqiptar për Zhvillim (FSHZH) dhe ka një kapacitet prej 450 nxënësish. Gjatë kohës së rindërtimit nxënësit e saj zhvilluan mësim në shkolla pritëse.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.