TIRANË 31 gusht /ATSH-I.Vata/ Pas zgjedhjeve të Këshillit Kombëtar, anëtarëve të kryesisë së PD-së dhe drejtuesve politikë, vijnë reagime nga ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së Bujar Nishani, ish-kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli dhe Bislim Ahmetaj, pjesë e “Grupit për PD”.
Nishani: Lulzim Basha është totalisht i diskretituar politikisht
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani në reagimin e tij, deklaron se PD po kthehet kokëulur në parlament.
“Vetëm 4 muaj pas humbjes trishtuese të Partisë Demokratike dhe turpëruese të Lulzim Bashës më 25 prill, ky i fundit e harroi tashmë “Regjimin e Masakrës”. Basha dje e njohu edhe zyrtarisht Parlamentin që doli pas masakrës elektorale dhe po e kthen PD kokëulur e të rrënuar në atë parlament të turpit, ekzaktësisht atje ku e dorëzoi 2 vite më parë, në shkurtin e 2019. Edi Ramën kryeministër, PS në mazhorancë solide me 74 + 3 mandate, demokratët të nëpërkëmbur, dhunuar e varfëruar edhe më shumë akoma”, thekson ai.
Po ashtu, Nishani shtoi se “shumica e demokratëve do të ndihen të tradhtuar nga ky devijim i shpejtë i Bashës nga sa u thoshte pak muaj më parë se; “nuk do t’i njohë kurrë këto zgjedhje… se do të mobilizojë popullin për ta rrëzuar një orë e më parë këtë regjim”. Basha nuk flet më asnjë fjalë për mobilizimin e popullit por na tregon se përballë kemi veç një “pakicë të korruptuar” me të cilën do të bëjë ca kompromise “për të mirën e vendit”. Demokratët nuk kanë pse ndihen të tradhtuar nga kjo, sepse ky është misioni i Bashës. Demokratët janë thjesht të mashtruar për të disatën herë prej Bashës. Ky është modeli politik i tij”.
Nishani, reagon edhe për lënien jashtë Këshillit Kombëtarë të PD-së të disa nga figurave të spikatura.
“Pasi shpiku një Këshill Kombëtar me 500 anëtarë, kontradikta më absurde në logjikë politike, (ndërsa anëtarësia zvogëlohet, numrat në institucione përfaqësuese rriten), konstaton me trishtim se si nga lista e kandidatëve për Këshillin Kombëtar u lanë jashtë atij akademikë, drejtues të suksesshëm të strukturave lokale, persona me influencë e integritet në komunitete. Përçmimi politik i Bashës ndaj emrave të tillë si Prof. Adriana Gjonaj, legjendës Agustin Kola, Dr. Alfred Gega, Dr. Almiro Gurakuqi, Arben Ristanit, Edith Harxhit, kuratorit Ardian Isufi, tenorit Rudi Sata, Armand Telitit, gazetarit Çelo Hoxha, Eduard Kelmendit, shkrimtarit Erald Kapri, Flamur Gjymyshkës e Flir Moshos, Prof. Gjok Uldedajt, Hekuran Hoxhallit e Hysen Osmanit, artistes Liljana Cingu, Paulina Hotit, Irma Koplikut e Mimoza Rexhvelajt, Luigj Isufit e Mal Berishës, Maxhid Cungut e Ndoc Ashtës, etj., veçse e konfirmon modelin e zvogëlimit gjithmonë e më shumë të asaj partie që lindi nga hapësira e lirisë”, tha ai.
Ai shton se “sot Lulzim Basha është totalisht i diskretituar politikisht në opinionin publik”.
“Kurrë, në këto 30 vite të pluralizmit politik në Shqipëri, nuk ka patur rast kur një kryetar opozite pas 8 vitesh të jetë kaq i diskretituar e kaq i pambështetur në opinion sa ç’është Basha. Ndoshta ky nuk është një problem për Bashën, por është problem i madh për Partinë Demokratike, është kërcënim për sistemin politik të vendit, është problem për Shqipërinë. Duhet zgjidhur. S’ka alternativë”, shkruan Nishani në reagimin e tij.
Kadilli: Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë
Ish-kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e Kryesisë dhe ekipit politik të PD-së.
“Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë. Ngjashmëria me filmin për fëmijë që bëjnë lojë luftash nuk është rastësore”, shkruan Kadilli.
Ahmetaj: Ekipi politik nga kryetari, hera e parë në historinë e PD-së
Po ashtu, Bislim Ahmetaj pjesë e “Grupit për PD” ka reaguar sot në lidhje me zgjedhjet e reja në PD duke u shprehur se ekipi politik nuk votohet por zgjidhet nga kryetari.
“Hera e parë në historinë e PD-s që ekipi politik nuk votohet me kandidatura alternative, por emërohet nga kryetari”, shkruan Ahmetaj.
/j.p/r.e/
