Presidentja thekson nevojën e FSK-së për helikopterë, falënderon ShBA-të për dhurimin e 55 automjeteve ushtarake

PRISHTINË, 30 gusht /ATSH/ Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i ka pranuar 55 automjete ushtarake të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), të cilat janë prezantuar sot nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Komandantja supreme, derisa ka folur për rëndësinë e këtij donacioni, ka theksuar nevojën që FSK të pajiset edhe me helikopterë, për çka ka kërkuar ndihmën e aleatëve të Kosovës.

Në kazermën “Adem Jashari”, Osmani ka thënë se automjetet ushtarake të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë FSK-në të përforcojë më tej kapacitetet dhe të thellojë ndërveprimin me ushtritë aleate.

“Këto pajisje të cilat janë karakteristikë për terrene të vështira dhe kanë rezistencë efikase ndaj goditjes së predhave do të u mundësojnë juve që veprimet tuaja në ruajtjen e paqes t’i zgjeroni e t’i shtrini gjithandej kudo të ju kërkohet. Shpresoj që faza e ardhshme e ngritjes së kapaciteteve të përfshijë edhe helikopterët shumë të nevojshëm për ushtrinë tonë e për shtetin tonë, të cilët përtej ofrimit të kapaciteteve mbrojtëse, do të shërbejnë edhe për të shpëtuar jetën njerëzish në rast të emergjencave, ose katastrofave humanitare, sikurse janë ato që pasojë nga ndryshimet klimatike. Prandaj edhe këtu e shfrytëzoj rastin që të kërkoj ndihmën e aleatëve tanë për t’u pajisur në këtë mënyrë edhe forca jonë”, theksoi Osmani.

Kryetarja e shtetit ka falënderuar presidentin Joe Biden dhe gjithë popullin amerikan që, siç ka thënë ajo, po kujdesen që Kosova të zhvillojë kapacitetet ndërvepruese ushtarake.

“Pajisjet ushtarake të cilat po i pranoni sot janë dëshmi se ushtria jonë po zhvillohet dita-ditës në ushtri bashkëkohore, e aftë që të shërbejë vendit dhe të sigurojë paqen e qëndrueshme jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, edhe në partnerë të besueshëm të aleatëve tanë synimet e të cilëve përkojnë dhe kanë përkuar gjithnjë me synimet tona strategjike. Këto pajisje do t’ju ndihmojnë që të zgjeroni edhe më tej kapacitetet tuaja të parapara në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, mbështetur në misionin dhe mandatin tuaj të ri”, tha presidentja Osmani.

Për automjetet e dhuruara nga ShBA-të, ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas së cilit, Amerika si partner i pazëvendësueshëm luan rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin e ushtrisë së Kosovës.

“Në rrugën e rritjes dhe zhvillimit të ushtrisë sonë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm është duke luajtur partneri ynë i pazëvendësueshëm strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-të së bashku me shtetet e tjera partnere vazhdojnë të jenë kontribuues aktiv në çdo  fazë të zhvillimit dhe modernizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Mbështetja me automjete të blinduara nga SHBA për Forcën e Sigurisë së Kosovës është vetëm njëra nga shumë fusha ku Shtetet e Bashkuara po kontribuojnë ndjeshëm për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe popullit tonë”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka theksuar se donacioni i prezantuar sot ka vlerë të madhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Zbarkimi i përbashkët i pjesëtarëve të FSK-së me pjesëtarët e ushtrisë amerikane në Kuvajt, pjesëmarrja dhe mikpritja si vend nikoqir i ndërmarrjes më të madhe ushtarake ‘Defender Europe 21’, ka dëshmuar që Forca e Sigurisë së Kosovës i ka më të mëdha aftësitë sesa mundësitë, prandaj vullnetit tuaj të paepur me të cilin jeni të pajisur si ushtarak, ne po ja bashkëngjisim bashkërisht edhe pajiset e tjera ushtarake siç janë këto automjete moderne. Andaj i nderuar ministër Mehaj, dhe ju ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës, uroj që këto automjete të blinduara të përdoren në mënyrën më të mirë në shërbim të ruajtjes së interesave të vendit dhe sigurisë e stabilitetit në vend, në rajon e më gjerë”, ka shtuar Kurti.

Një pjesë të automjeteve ushtarake të pranuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Forca e Sigurisë së Kosovës i ka prezantuar sot në hapësirat e kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë.

Pajisja e FSK-së me automjete ushtarake është pjesë e procesit të tranzicionit, të cilin FSK e ka filluar në dhjetor të 2018-ës kur Kuvendi i Kosovës ka votuar për ndryshimin e mandatit të Forcës çka parasheh që për 10 vjet FSK të bëhet me kapacitete të plota ushtarake.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.