“Erdhëm nga ferri në parajsë”, Rama viziton qytetarët afganë në Durrës, shpërndan dhurata për të vegjlit

TIRANË 27 gusht /ATSH-I.Vata/ Kryeministri Edi Rama ka vizituar këtë pasdite shtetasit afganë, që mbërritën në Shqipëri në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe janë strehuar në strukturat hoteliere në Durrës.

Në takim me shtetasit afganë kryeministri Rama tha se më në fund ia dolët.

Ndërsa qytetarja afgane në bashkëbisedim me kryeministrin tha se, “po, me shumë vështirësi por ia dolëm dhe duhet t’u falenderojë për mikpritjen dhe bujarinë që keni dëshmuar për afganët në përgjithësi dhe grupin tonë në veçanti. E di që nuk është e lehtë të strehosh kaq shumë njerëz krejt papritur por kolegët tuaj kanë bërë një punë të mrekullueshme këtu”.

“Nuk ka qenë e lehtë për të qenë të ndershëm, gjithçka duket jo reale. Duket sërish si një makth nga i cili do të zgjohemi dhe gjërat do jenë ndryshe, por realiteti është ky që është në fakt. Të vish siç e thash këtu duket sikur të vish nga ferri në parajsë, ka qenë vërtetë e vështirë, shumë e vështirë për të gjithë”, i tregon qytetarja kryeministrit.

Kryeministri Rama tha se përpiqemi të bëjmë më të mirën. “Faleminderit shumë. Kemi qenë në këtë pozitë e dimë çfarë është”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama i shoqëruar dhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shpërndau dhe dhurata për fëmijët e vegjël në shenjë mirëseardhje.

Kryeministri pasi i takoi nga afër ata u interesua dhe nëse gjithçka ka qenë në rregull.

Qytetarët afaganë i pohuan kryeministrit se gjithçka ka qenë e rregullt, kanë qenë shumë të kujdesshëm. Kanë qenë shumë të gjindshëm, kanë bërë maksimumin.

Avioni i parë me 121 qytetarë afganë, mes të cilëve 11 foshnja, mbërriti sot në aeroportin e  Rinasit. Më pas ata u nisën drejt strukturave hoteliere në Durrës. Qytetarët afganë janë pritur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, drejtues të FA dhe Policisë së Shtetit. /a.a/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.