Ndërtimi i portit të Vlorës dhe shëtitores, 70.2 milionë lekë për kompensimin e pronarëve

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi projektit “Rigjenerim urban i shëtitores bregdetare qendrore të Vlorës, sheshit “Isa Boletini” dhe portit Bashkia Vlorë”.

Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë dhe pronarët do të kompensohen me një vlerë të përgjithshme prej 70 237 995.34 lekësh.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 70 237 995.34 lekësh do të përballohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nga të cilat 43 400 000 lekë përballohen nga buxheti i vitit 2021, në programin buxhetor “Planifikimi urban”, dhe 26 837 995.34 lekë nga buxheti i vitit 2022.

Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 do të përballohen nga buxheti i vitit 2021 i Bashkisë Vlorë.

Vendimi parashikon se afati i përfundimit të shpronësimit do të jetë brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe pronarët do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Vlorë.

Bashkia Vlorë do të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, jo më vonë se 30 ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, do të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Vlorë.

Po ashtu, do të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë./m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.