Mbi 14 mijë udhëtarë drejt Italisë nga porti i Durrësit fundjavën e kaluar

TIRANË, 24 gusht/ATSH/ Që prej një jave, tragetet që nisen nga Durrësi drejt Barit dhe Ankonës, po transportojnë një numër në rritje të udhëtarëve vendas dhe të huaj.

Përfundimi i pushimeve verore i ka drejtuar në dy qytetet-port të Italisë shumicën e qytetarëve, që jetojnë dhe punojnë në vendet e Europës.

Vetëm gjatë fundjavës së kaluar tragetet janë shfrytëzuar në dalje nga Durrësi prej më shumë se 14 mijë udhëtarëve me 3,500 autovetura, ndërsa numri i udhëtarëve në mbërritje është më i vogël se 2,500 me 680 autovetura gjithsej.

Gjatë fundjavës, tragetet kanë kryer nga 5 lundrime vajtje-ardhje në ditë dhe numri i udhëtarëve që po largohen nëpërmjet portit të Durrësit pritet të vijë duke u rritur.

Nga data 21 dhe 22 gusht 2021 në portin e Durrësit kanë hyrë 2,431 pasagjerë, 683 automjete, 116 kamionë/trailerë. Ndërsa kanë dalë nga Durrësi 14, 803 pasagjerë, 3,517 automjete dhe 178 kamionë/trailerë.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.