Siguria rrugore, arrestohen 12 shoferë dhe pezullohen 45 patenta në 24 orët e fundit


TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Policia Rrugore gjatë 24 orëve të fundit ka arrestuar në flagrancë 12 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, janë pezulluar 45 leje drejtimi, nga të cilat 31 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 14 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

“Në autostradën Levan-Vlorë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Nartës”, shërbimet e Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore kanë konstatuar shtetasin E.O., 41 vjeç, banues në Hollandë i cili drejtonte automjetin tip Benz me shpejtësi 202 km/h. Policia Rrugore e ka ndëshkuar me masë administrative 40.000 lekë të rinj”, informon Policia.

“Në rrugën interurbane Tiranë- Durrës, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga Policia Rrugore e Tiranës është konstatuar me radar automjeti tip Benz që drejtohej nga shtetasi F.G, banues në Tiranë që qarkullonte me shpejtësi me 156 km/h. Policia Rrugore e ka ndëshkuar me masë administrative 15.000 lekë të rinj, pezullim të lejes së drejtimit 2 muaj dhe zbritje 3 pikë nga Leja e Drejtimit”, vijon njoftimi i Policisë.

“Si rezultat i kontrolleve intensive dhe denoncimeve të adresuara në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1579 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës”, thekson Policia.

Policia Rrugore i bën apel drejtuesve të mjeteve të mos shpejtojnë, të mos kryejnë parakalime të gabuara, mos të drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, të qëndrojnë në radhë kur lëvizja është e ngadaltë për shkak të fluksit të lartë të automjeteve, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, që të arrijnë në destinacion të sigurt dhe me patentë në xhep.

Në çdo aks rrugor dhe qendra urbane ka patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, me mjete të paloguara, radarë, dronë, kamera dhe aparate fotografike.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional./k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.