Agjencia Telegrafike Shqiptare

COVID-19 – Nivelet e infektimeve të larta në të gjithë Britaninë e Madhe

LONDËR, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Nivelet e infektimeve nga COVID-19 vazhdojnë të mbeten të larta në pjesën më të madhe të Britanisë së Madhe, sipas të dhënave të fundit.

Shifrat e veçanta tregojnë se shkalla e rasteve të reja të virusit po rritet, aktualisht, në të katërta kombet, duke sugjeruar se rënia e mprehtë e rasteve COVID-19, që filloi nga mesi i korrikut, tashmë po merr fund.

Sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare (ONS), prevalenca më e lartë vihet re në Irlandën e Veriut, ku rreth një në 55 persona vlerësohet të ketë pasur COVID-19 javën e kaluar, situatë e pandryshuar në javën e mëparshme dhe niveli më i lartë që nga fundi i janarit.

Ajo pasohet nga Anglia, ku numri është rreth një në 75 persona, gjithashtu e pandryshuar nga java e mëparshme.

ONS tha se ndërsa përqindja e njerëzve të testuar pozitiv për COVID-19 në Angli “vazhdon të jetë e lartë”, vlerësimet sugjerojnë “një prirje të përgjithshme në rënie gjatë dy javëve të fundit”.

Në Uells, ku rreth një në 220 njerëz vlerësohet të ketë pasur virusin javën e kaluar, tendenca përshkruhet nga ONS si “e pasigurt”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version