Agjencia Telegrafike Shqiptare

Qytetarët për ATSH: Të gjithë duhet të vaksinohen

TIRANË, 11 gusht/ ATSH/ Ndërsa numri i personave të infektuar ka shënuar rritje ditët e fundit, vaksinimi është e vetmja armë mbrojtëse kundër COVID-19.

Të pyetur nga ATSH, qytetarët në kryeqytet shprehen se të gjithë duhet të vaksinohen për të mbrojtur jo vetëm veten, por edhe të afërmit.

“I kam bërë të dy dozat e vaksinës dhe besoj se kemi krijuar imunitet nga koronavirusi ndaj ndihemi shumë më të sigurt tani. Do të ishte shumë mirë që e gjithë popullata të vaksinohej, duke filluar që nga fëmijët dhe deri tek moshat më të vjetra, sepse krijohet imunitet i plotë. Madje unë mendoj që duhet bërë me vendim qeverie sikurse vende të tjera, pra me urdhër që të gjithë shqiptarët duhet të vaksinohen”, shprehet një qytetar.

“Unë e kam bërë vaksinën në muajin prill-maj dhe për mua vaksina duhet bërë, sepse është një mbrojtje më shumë dhe një siguri. Mendoj se ata që mendojnë të kundërtën e kanë gabim, pasi të gjithë duhet ta bëjmë vaksinën”, apelon një tjetër qytetar.

Një çift bashkëshortësh gjithashtu ndanë me ATSH-në mendimin e tyre lidhur me vaksinimin.

“Vaksina mendoj që ishte një mundësi e mirë dhe ne e bëmë menjëherë sapo doli. Tani ne vazhdojmë të kujdesemi akoma, sigurisht. Mendoj që ata që nuk e kanë bërë, duhet të kujdesen dhe të vaksinohen”, apeluan ata.

Ndërkohë procesi i vaksinimit vazhdon me ritme të larta edhe në ambientet e “Air Albania”, ku sot vihej re një prezencë më e madhe e qytetarëve që prisnin në radhë për t’u vaksinuar.

“Unë e kam kaluar kovidin që në janar dhe do ta bëj tani edhe vaksinën që të mbroj veten më mirë. Kam kaluar kovidin në një gjendje shumë të rëndë dhe tani vendosa që ta bëj vaksinën. Dua të mbroj veten në radhë të parë, por edhe pjestarët e tjerë të familjes. Bashkëshorti dhe fëmijët i kanë bërë që të dyja dozat. Unë mendoj që duhet ta bëjmë patjetër, përderisa janë për të mbrojtur shëndetin tonë”, u shpreh një qytetare, teksa po priste në radhë për t’u vaksinuar.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version