Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rehabilitohen muret e gurta në rrugicat e lagjes “Manalat” të Gjirokastrës

TIRANË 9 gusht /ATSH-I.Vata/ Bashkia Gjirokastër vazhdon punë për rehabilitimin e mureve të gurta në rrugicat e lagjes “Manalat”.

Bashkia Gjirokastër njofton se përgjatë rrugëve të brendshme të qytetit po ndërhyhet për mirëmbajtjen e mureve mbajtës dhe evitimin e problematikave për erozionin.

“Punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Publike kanë punuar për rehabilitimin e mureve të gurta, në rrugicat e lagjes “Manalat”, duke i paraprirë rrëshqitjeve të tokës gjatë stinës së dimrit, në këtë zonë. Punime të tilla janë kryer në rrugët e brendshme dhe në lagje të tjera të qytetit”, thuhet në njoftim e bashkisë.

Vitet e fundit bashkia Gjirokastër ka pasur ndryshime të mëdha për sa i përket jo vetëm rijetësimit të Pazarit të Vjetër, por dhe ndërhyrjeve në të gjitha rrugët e gurta duke ruajtur identitetin dhe përmirësuar jetën e qytetarëve dhe turistëve të shumtë që vazhdojnë ta vizitojnë qytetin e gurtë.

Gjirokastra shtrihet në jug të Shqipërisë. Për vetë relievin dhe pozitën gjeografike Gjirokastra është një nga vendet më tërheqëse për turistët në Shqipëri. Kalaja mbresëlënëse plot histori e mistere, Pazari i Vjetër i shekullit XVII, shtëpitë e gurta me arkitekturën e rrallë, lagjet e vjetra karakteristike, teqetë dhe kishat, historitë e fshehura në çdo skutë të qytetit, muzeumet dhe monumentet, përbëjnë kontekstin shumëshekullor e tepër origjinal të një mënyre jetese dhe organizimi shoqëror të ruajtur deri në ditët e sotme.

Këto vlera e bënë Gjirokastrën më 29 korrik 2005 të shpallet monument i trashëgimisë kulturore botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Gjirokastra mbetet qendër e një jete të gjallë kulturore e historike dhe po përjeton një zhvillim të turizmit gjithëvjetor dhe mbetet një nga qytetet më të vizituara nga turistët.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version