Zjarri në Gjorm, Peleshi apel për evakuimin e banorëve: Rrezikohet Llogoraja


TIRANË, 5 gusht/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një deklaratë për media sot nga zona e Lumit të Vlorës, përsëriti apelin për evakuimin e banorëve në fshatrat e rrezikuara nga zjarri, ndërsa shtoi se “për shkak të erërave të forta Parku Kombëtar i Llogorasë sot rrezikohet më shumë se çdo ditë tjetër”.

Duke folur për situatën e zjarreve, Peleshi tha se “tani situata është disi më ndryshe edhe pse nuk mund të flasim për vendosje nën kontroll”.

“Vatrat janë më pak agresive se sa para 1 apo 2 orësh. Është punuar me intensitet me dy helikopterë. Tani po vazhdon punën një helikopter më i vogël, i cili është shumë efektiv sepse furnizohet me ujë te rezervuari shumë pranë fshatit Gumenicë. Kemi pasur edhe prekje banesash por fatmirësisht deri tani nga informacionet operative kanë qenë në Gjorm, në pjesën që nuk na raportohet të ketë pasur banorë dhe në fshatin Gumenicë lart ku janë shtëpi të vjetra. Po përpiqemi ta shmangim plotësisht përfshirjen e banesave të fshatit Gumenicë poshtë”, tha Peleshi.

Ai theksoi se “forcat e policisë janë aty dhe po evakuojnë të gjitha familjet që janë të ekspozuara ndaj rrezikut”.

Peleshi përsëriti edhe njëherë apelin për evakuimin e banorëve. “Jeta e njerëzve për ne është kryesorja, nuk diskutohet. Nuk kemi raportime për lëndime deri tani dhe shpresojmë që kjo vatër të mbyllet pa pasur asnjë të lënduar. Natyrisht që dëme materiale dukshëm ka. Ka edhe pemë të vjetra të djegura, por pjesa më e madhe është bimësi shkurre dhe barëra, por ka edhe banesa të prekura”, tha ai.

Ministri kërkoi që të punohet deri në fund për evakuimin edhe të banorit të fundit. “Nuk është një gjë e thjeshtë edhe kur rrethohen nga zjarri banorët që kanë gjë të gjallë apo pasurinë e tyre atje hezitojnë dhe rezistojnë për të ikur. Këtë punë nuk duhet ta bëjë ushtria, por policia, edhe me forcë duhet të largohen banorët nga fshatrat”, tha ai.

Peleshi siguroi se “kemi forca mjaftueshëm për ta mbajtur nën kontroll situatën në këtë zonë. Kemi 40 trupa nga FA dhe vetëm nga FA kemi 2 zjarrfikëse të specializuara me ekuipazhin e tyre. Edhe nga bashkia e Vlorës ka ardhur një zjarrfikëse në ndihmë, si dhe nga bashkia e Selenicës. Mendoj se me punën e vazhdueshme të helikopterit dhe kaq forca sa kemi do të arrijmë ta vëmë nën kontroll këtë vatër”.

Ministri shtoi se “vetëm sot nuk mund të flitet dot për vendosje përfundimtare nën kontroll, sepse ka shumë erëra”, ndërsa shprehu shqetësimin për situatën në Llogora.

“Një mendje gjithmonë e kam në Llogora, Karaburun, ku erërat janë shumë më të forta sesa kanë qenë gjatë periudhës së fundit. Jemi në luftë në frontin e kufirit me Parkun e Llogorasë. Gjatë gjithë natës kemi pasur 30 forca që kanë kaluar natën shumë pranë rrezikut. Sot është nisur një grup shumë i madh forcash të freskëta në këmbë nga ana e Llogorasë drejt kufirit të zjarrit. Po presim që të krijohen pak kushte të favorshme nga era për të dislokuar trupa me helikopter ushtarak aty. Nuk kemi mundur dot të bëjmë deri në këto momente ndërhyrje me kova me ujë, sepse ka qenë e e pamundur për helikopterin tonë”, tha ai.

Ministri tha se ka një sinjal që mund të jenë të favorshme kushtet, dhe në rast se do të rezultojë kështu do të dërgohen trupa dhe ujë në Llogora, ku vazhdon përpjekja për shuarjen e zjarreve.

“Parku Kombëtar i Llogorasë sot rrezikohet më shumë se çdo ditë tjetër. Ka disa zhvillime pozitive, sepse presim që nesër, ose maksimumi pasnesër në mëngjes do të fillojë fluturimi i dy helikopterëve holandezë që kanë kapacitete shumë të mëdha dhe që kanë një efektivitet shumë të madh, por mezi po presim të fillojë fluturimi i tyre. Kemi sot një ofrim bashkëpunimi nga shteti i Zvicrës. Kryeministri edhe sot ka komunikuar dhe ka përsëritur thirrjen në shtetet fqinje. Fatkeqësisht shtetet në rajon kanë situata shumë më të vështira se ne dhe janë nën kapacitete për t’i përballuar, por Holanda, Zvicra dhe Republika Çeke janë përgjigjur”, tha Peleshi.

Ai falënderoi publikisht ambasadoren amerikane, Yuri Kim, pasi sot, sapo u vështirësua dhe doli disi nga kontrolli situata në qarkun e Vlorës, kryesisht në Karaburun, u tregua e gatshme dhe me gjithë stafin e saj po punojnë shumë fort me strukturat amerikane në rajon dhe në Evropë për të na mundësuar mbështetje. “Nuk mund të konfirmoj dot akoma asnjë gjë, por mund të konfirmoj vullnetin dhe predispozicionin e jashtëzakonshëm të ambasadores në këtë aksion”, tha ministri Peleshi.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.