Zjarret në Selenicë, kryebashkiaku Binaj: Nuk ka dëme në njerëz dhe në shtëpi të banueshme

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Selenicës, Pëllumb Binaj, në një intervistë televizive, foli sot mbi situatën e zjarreve në këtë bashki, ku theksoi se “falë ndërhyrjes së menjëhershme, nuk ka dëme në njerëz dhe në shtëpi të banueshme”.

“Sot për ne dhe bashkinë Selenicë ka qenë një nga ditët më të vështira të kësaj periudhe që unë jam drejtues, pasi dora e një njeriu të papërgjegjshëm ka bërë që të përfshihen në flakë fshatrat Gjormë dhe Gumenicë dhe më gjerë. Dua të them që në fillim se dëme në njerëz dhe në banesa të banueshme nuk ka, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Bashkisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, duke përfshirë zjarrfikës dhe mjete nga ajri që kanë punuar çdo ditë nonstop. Sot jemi të lumtur që nuk viktima”, tha ai.

Binaj tha se “në bilancin e deritanishëm të dëmeve nga zjarret janë 3 banesa të pabanueshme, 600 rrënjë ullinj dhe disa koshere bletësh në fshatin Gjorm”.

“Problemi është se sapo fiken flakët, riaktivizohen sërish nga erërat e forta. Kanë qenë dy helikopterë ditën e sotme që kanë vepruar. Duhet një thirrje për ndërgjegjësimin e të gjithëve. Këta njerëz që vendosin zjarr nuk mendojnë për familjet e tyre? Në 2 raste në Sevaster dhe Lapardha falë banorëve janë shuar 2 vatra të rrezikshme zjarri. Këtu 6 veta rrezikonin jetën, po të mos kishin ndërhyrë forcat e ushtrisë”, tha ai. /m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.