Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin 17.7 miliardë lekë

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 17.7 miliardë lekë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur të ardhurat nga ky zë rezultuan 4 miliardë lekë, ose 28.9 % më shumë se 6-mujori i 2020-ës.

Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton se sektori i shërbimit shënoi rritje 40 %, krahasuar me 6-mujorin e vitit 2020, ndërsa ai i ndërtimit 47 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Ekonomia shqiptare mori dy goditje të njëpasnjëshme, atë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, i cili shkaktoi një dëm që llogaritet përtej 900 milionë eurove, ndërsa nevoja për rindërtim u llogarit mbi 1 miliard euro, si dhe nga pandemia e shkaktuar nga virusi Sars-CoV-2.

Në këtë situatë, qeveria vendosi ndër të tjera edhe lehtësimin e biznesit, duke shtyrë afatin e pagimit të kësteve të tatimit mbi fitimin gjatë vitit 2020, si dhe ta zerojë atë për bizneset me xhiro vjetore deri 14 milionë lekë për një periudhë prej 8 vitesh.

Tatimit mbi fitimin i nënshtrohen personat juridikë dhe ortakëritë që janë regjistruar për TVSH-në, personat juridikë, si dhe ortakëritë e tjera të personave të themeluara ose të organizuara në bazë të një ligji të huaj dhe që ushtrojnë veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë, çdo person tjetër, pavarësisht nga statusi ose forma ligjore e regjistrimit apo e njohjes së tij, kur ky është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, me përjashtim të rastit kur ky person është subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.