Shpallja “non-grata”, ish-kryeministri Berisha depoziton padinë për shpifje ndaj Blinken

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi sot në një konferencë për shtyp se avokati i tij ka depozituar në Gjykatën Korreksionale të Parisit padinë për shpifje ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Në konferencën për mediet, Berisha tha se “sipas avokatit tim, kjo padi në Gjykatë për shpifje bazohet në precedencë të mëparshëm të ngjashme dhe në parimin universal se për shpifjen nuk ka imunitet, sepse ajo nuk hyn në funksione zyrtare dhe për rrjedhojë imuniteti në rastin e shpifjes nuk mund të përdoret si mburojë”.

“Padia ime bazohet në parimin tjetër universal, sipas të cilit shpifja në internet dënohet kudo ku del lajmi. Pra ku ndodh dëmi”, u shpreh ai.

“Vetëkuptohet”, theksoi Berisha, “gjithçka varet nga interpretimi i gjykatësit që do të gjykojë çështjen. Në këtë rast unë i bëj thirrje Sekretarit Blinken, në emër të transparencës të dërgojë pranë kësaj gjykate çdo fakt, dokument dhe provë që ai apo çdokush tjetër në botë disponon kundër Sali Berishës dhe familjarëve të tij”.

“Së pari, sot pas 77 vitesh jetë, kjo është hera e parë që unë i drejtohem një gjykate dhe kurrë ndonjëherë nuk kisha imagjinuar se unë do të detyrohesha të ngrija padi ndaj Sekretarit të Shtetit të SHBA, të një vendi që unë e admiroj kaq shumë”, tha Berisha.

Së dyti, vijoi ai, “në këtë padi unë kërkoj të mbroj dinjitetin tim, të familjes time dhe të gjithë shqiptarëve që unë gjatë 30 viteve karrierë politike i kam përfaqësuar kudo me dinjitet. Pra, kjo padi është një betejë për dinjitet njerëz, i cili është një vlerë e shenjtë për mua dhe çdo njeri të lirë të çdo vendi të botës”.

Së treti, theksoi Berisha, “në këtë padi kërkoj të bëj transparencë të plotë përpara shqiptarëve që në 30 vite më kanë votuar më shumë se cilindo tjetër në këtë vend dhe para miqve të mi të shumtë në Shqipëri dhe kudo në botë dhe të provoj se ky vendim është fund e krye politik, pa asnjë bazë”.

Berisha nënvizoi se, “karakterin politik të këtij vendimi e provon dhe fakti se me gjithë kërkesën e paraqitur në letrën time të datës 19 maj 2021 drejtuar Sekretarit Blinken për të bërë publike çdo fakt, dokument, provë që ai disponon, por edhe kërkesat e medieve në këtë drejtim që të faktojë akuzat ndaj meje dhe familjarëve të mi deri sot nuk është paraqitur asnjë e vetme e tillë. Për shkakun e vetëm se ato nuk ekzistojnë”.

“Më datë 21 maj zëdhënësi i Departamentit të Shteti i ka deklaruar një gazete shqiptare se burimet e informacionit mbi të cilat është bazuar vendimi i Sekretarit Blinken kanë qenë raportet e NGO-ve lokale dhe rajonale ndërkombëtare, të gjitha të sponsorizuara nga Soros, ky është shënimi im. Kanë qenë raportet e medieve të kontrolluara rreptësisht nga qeveria, shënimi im. Dhe raportet të hetimeve anti korrupsion të qeverisë shqiptare. Domethënë raporte sekrete të Edi Ramës të cilat nuk janë publikuar kurrë në Shqipëri”, tha Berisha.

Kjo, tha ish-kryeministri, “dëshmon se vendimi i marrë kundra meje dhe familjarëve të mi bazohet në shpifje dhe trillime për qëllime politike të kundërshtarëve të mi George Soros dhe Edi Rama. Ajo është një hakmarrje e tyre politike për mbrojtjen nga ana ime të interesit publik dhe kombëtar të shqiptarëve. Denoncimit tim të dhunimit të zgjedhjeve nga Edi Rama, lidhjet e tij me krimin, kartelet e drogës, pasuritë e paligjshme dhe korrupsionin e tij”.

“Ajo është një hakmarrje për denoncimin tim publik të rolit të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur dhe vendosjen nën kontrollin e plotë të qeverisë të rrjetit të NGO-ve dhe së fundmi të sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, tha Berisha.

“Ne veçanti ky vendim është hakmarrje politike për kundërshtimin tim të prerë të ndryshimit të kufijve të Kosovës sipas projektit të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur në Beograd”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se, “mungesa e plotë e transparencës në këtë vendim fakton katërcipërisht se ky vendim është fund e krye politik dhe shënon një abuzim të hapur me ligjin e Kongresit të SHBA, përdorimin e tij si apolitike kundër kundërshtarëve të qeverisë më të korruptuar të Europës dhe protektorit të saj dhe mikut të ngushtë të Edi Ramës, multimiliarderit George Soros”.

“Por pavarësisht nga këto unë nuk kam ngritur padi kundër vendimit hakmarrës politik. Është e drejtë ekskluzive e Sekretarit Blinken të përcaktojë se kush do hyjë dhe kush nuk mund të hyjë në vendin e tij. Por unë kam ngritur padi kundër shpifjeve mbi të cilat bazohet ky vendim. Karakterin e mirëfilltë politik të këtij vendimi e provon plotësisht edhe kërkesa publike e ambasadores së SHBA, Yuri Kim, për mosfutjen time në parlament, duke mos pasur asnjë fakt, provë, apo dokument për t’iu paraqitur shqiptarëve, përveç kërcënimeve me dogmën e barit që ka përdorur dikur Enver Hoxha dhe që e përdorin dhe sot albanofobë të pandreqshëm”, tha Berisha.

“Shpreh besimin tim të plotë tek paanësia e gjykatës dhe garantoj shqiptarët se mbi këtë planet nuk ekziston njeri apo institucion shqiptar apo i huaj që mund të disponojë një provë, fakt apo dokument të vetëm që të faktojë korrupsionin domethënës me fonde të buxhetit apo çfarëdolloj forme tjetër korrupsioni për Sali Berishën”, theksoi Berisha.

I pyetur në lidhje me qëndrimin e ambasadores Kim që kryetarët e partive duhet të rishikojnë listat e deputetëve përpara se të nisë legjislatura e re në Kuvend dhe çfarë vendimi pritet të marrë Basha, Berisha tha se, “ambasadorja Kim është unike në botë si ambasadore që, pasi ka lavdëruar të nesërmen masakrën zgjedhore, kërkon tani t’i diktojë këtij vendi se kush duhet apo kush nuk duhet të futet në parlament”.

“Nuk mbrohem unë nga imuniteti, nuk mbrohet Sali Berisha nga sovraniteti, as nga Kushtetuta, por Sali Berisha nuk pranon që nën diktat t’i shkelë ato. Ky është ndryshimi dhe rruga e vetme është transparenca”, tha Berisha.

“E them edhe një herë, nuk ka forcë në botë përveç të Gjithëfuqishmit që mund të më pengojë mua pa ushtruar misionin tim të besuar nga zgjedhësit shqiptarë. Kjo është përfundimtare”, tha ai.

“Me sa di unë, kryetari i PD-së në takim me zonjën Kim ka kërkuar të njëjtën gjë dhe ftoj çdo shqiptar të kërkojë të njëjtën gjë, transparencë. Por ata që s’bëjnë transparencë dhe u ofrojnë barin shqiptarëve dhe i kërcënojnë me barin, ata kanë një problem madhor. Ata kanë frikë nga e vërteta. Ata i tremben”, u shpreh Berisha.

“Unë kam deklaruar se një vendim, një fakt po të paraqitet unë marr vendimet e mia. Por nga ana tjetër qëndroj i vendosur, dhe ta dini mirë, që nuk ka forcë në botë që të imponojë mua përveç transparencës, një qëndrim tjetër përveç se këtij që kam shpallur, kushdo tjetër”, theksoi Berisha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.