Rolling Stones pa bateristin Charlie Watts në turneun e ardhshëm

LONDËR, 5 gusht /ATSH-DPA/ – Lideri i Rolling Stones, Mick Jagger u shpreh se grupi mezi po e pret kthimin e Charlie Watts “sapo të shërohet plotësisht”, pas lajmeve sipas të cilave bateristi ka të ngjarë të humbasë turneun e ardhshëm të grupit në SHBA.

Një zëdhënës i Watts, 80 vjeç, konfirmoi se “nuk ka gjasa që ai të jetë i disponueshëm për rifillimin e Turneut të Rolling Stones “USA No Filter” këtë vjeshtë, sepse po kurohet nga një procedurë mjekësore e paspecifikuar”.

“Charlie ka kryer një procedurë, që ka rezultuar plotësisht e suksesshme, por mjekët e tij këtë javë arritën në përfundimin se ai tashmë ka nevojë për pushim dhe periudhën e duhur të shërimit”, shpjegoi zëdhënësi.

Grupi do të rifillojë turneun në SHBA në shtator, pas shtyrjes së tij vitin e kaluar.

Pas lajmeve, Jagger mirëpriti zëvendësuesin e Watts, Steve Jordan, i cili do t’i bashkohet grupit kur të fillojë turneu në St. Louis, më 26 shtator, me data të planifikuara edhe për Pittsburgh, Nashville, Minneapolis, Dallas etj.

“Ne e mirëpresim Charlie-n sapo të shërohet plotësisht. Faleminderit mikut tonë, Steve Jordan, për ndërhyrjen, që ne të mund të luajmë të gjitha shfaqjet për ju këtë vjeshtë”, shkroi Jagger në Twitter./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.