Përdorimi i standardeve dhe akreditimi sigurojnë qasje në tregje dhe mundësi të reja

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Përdorimi i standardeve dhe shërbimi i akreditimit, po kërkohen gjithnjë e më shumë në zinxhirin e furnizimit dhe po shfaqen gjithmonë e më shumë në dokumentet e tenderit.

Ato u sigurojnë blerësve besim se produktet janë të sigurta, të besueshme dhe plotësojnë specifikimet. Si rezultat, ato sigurojnë qasje në tregje dhe mundësi të reja.

Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit bën të ditur se janë 93 organe të akredituara të vlerësimit të konformitetit. Po ashtu në të gjithë vendin janë të akredituar 46 laboratorë testues/kalibrues/mjekësore, 17 organe certifikuese dhe 29 organe inspektuese.

Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit ka dyfishuar numrin e fushave për të cilat ka ofruar akreditimin gjate 3 viteve të fundit, të tilla si inspektimi i pajisjeve ngritëse (vinça të llojeve të ndryshme, kontejnerëve, pajisje ngritëse të tjera), i ashensorëve (elektrikë dhe hidraulikë), i pajisjeve elektrike (pajisjeve, instalimeve, impianteve dhe linjave), inspektimi teknik i automjeteve, inspektimi i komoditetit të mjeteve të transportit publik.

Po ashtu ofron akreditim për kryerjen e analizave të metaleve të rënda në ujë dhe ajër, kryerjen e analizave të emisioneve nga oxhakët, apo analizave mikrobiologjike në ushqime.
Njëkohësisht ofron akreditimin për certifikimin e sistemeve të menaxhimit të energjisë, pajisjeve mjekësore, etj., si dhe kryerjen e analizave kimiko-klinike, imunologjike dhe hematologjike.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.