Kredia me probleme për biznesin ra në 7.1 % në fund të qershor 

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Raporti i kredive me probleme për bizneset ka shënuar një tjetër rënie në fund të muajit qershor të këtij viti.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se kreditë me probleme në segmentin e biznesit zbritën në nivelin 7.1 %, niveli më i ulët në dekadën e fundit.

Sipas BSH-së, ecuria e segmentit të biznesit ngelet përcaktuese në cilësinë e portofolit të kredisë bankare, sepse ky segment përbën më shumë se 60 % të totalit të huasë për ekonominë.

Ekspertët e bankave shprehen se bilancet në përmirësim të bizneseve shqiptare, që janë pasqyruar në rënien e raportit të kredive me probleme, kanë ndikuar në rritjen e kredisë për sektorin privat.

Të dhënat zyrtare tregojnë se, kredia për biznesin shënoi një rritje mesatare prej 7.7 % gjatë tremujorit të dytë, duke vijuar të pasqyrojë një rritje relativisht të shpejtë e të qëndrueshme të kredisë në monedhën vendase Lek, të kredisë për qëllime investimi dhe të asaj për blerje banese.

“Ndërkohë që rritja e raportuar e kërkesës për kredi në tremujorin e tretë dhe lehtësimi i kushteve të kreditimit premtojnë një mbështetje të vazhduar me fonde të nevojave për konsum dhe investime”, bën të ditur BSH-ja.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.