Fabrikë e re moderne agropërpunuese e frutave të thata, impakt në punësim dhe ekonominë lokale

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Në Kashar, 15 km larg Tiranës, falë mbështetjes së Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), nëpërmjet Programit IPARD, po ngrihet një fabrikë e re agropërpunimi që do të sjellë një standard të ri për përpunimin e frutave të thata.

Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca u shpreh se, “fabrika do të grumbullojë nga fermerët shqiptarë, përpunojë e paketojë me cilësi të lartë, arra, bajame, lajthi dhe të tjera produkte, me synim shitjen e tyre në vend dhe për eksport”.

“Pak ditë më parë së bashku me Kryeministrin Edi Rama pamë nga afër ecurinë e punës për finalizimin e projektit me Florin, djalin energjik e punëtor, i cili na njohu me zbatimin e projektit dhe ekipin e tij, të cilët synojnë ta përfundojnë brenda vitit”, tha Krifca.

AZHBR në këto dy vite të implemetimit të programit IPARD II, ka injektuar 120 milionë euro investime për modernizimin e bujqësisë shqiptare sipas standardeve të BE-së.

Sipas AZHBR-së, deri tani janë firmosur 314 kontrata investimesh, për financim grant nga programi IPARD II, në sektorin e prodhimit bujqësor, agropërpunimit, qendrave të grumbullimit dhe në agroturizëm.

Ndërsa janë financuar 54 milionë euro grant për subjektet që kanë ndërmarrë projekte investimesh në sektorin e bujqësisë, mbështetje e cila ka rritur me 10 mijë numrin e të punësuarve dhe ka nxitur eksportet “Made in Albania” në tregjet e huaja.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.