Blegtoria, qarku i Fierit dhe Korçës me përqendrimin më të madh të numrit të krerëve

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Prodhimi blegtoral në vendin tonë ka ardhur në rritje të qëndrueshme, kjo në sajë të shtimit të investimeve në ferma e komplekse blegtorale, por edhe në linja e fabrika të reja të përpunimit të qumështit.

Sipas të dhënave të INSTAT, qarku i Fierit dhe ai i Korçës, dallojnë për ritmet më larta të zhvillimit të blegtorisë vitin e fundit.

INSTAT bën të ditur se, përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në Qarkun e Fierit me 16,15 % dhe në Qarkun e Korçës me 10,87 % ndaj numrit gjithsej të gjedhëve. Ndërsa numri i krerëve të gjedhit shënoi rritje edhe në zonat Has, Kukës, Tropojë, Fushë-Arrëz.

Në fund të vitit 2020, në të gjithë vendin numëroheshin 362 mijë krerë gjedhë.

Qeveria po mbështet zhvillimin e këtij sektori përmes skemës së subvencionimit. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural bën të ditur se janë mbi 1880 fermerë të kualifikuar në total, përfitues të Skemës Kombëtare 2021 për masën e mbështetjes në blegtori, që marrin pagesë të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.

Për masën “Tufa bazë e matrikulluar”, fermerët përfitojnë 1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360,000 lekë për subjekt, për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe/ose dhi, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10,000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt.

Gjithashtu me mbështetjen e qeverisë matrikullimi dhe vaksinimi i blegtorisë bëhet falas për të gjitha fermat. Ndërkohë që në Shërbimin Veterinar vetëm gjatë këtij viti janë punësuar 400 veterinerë të rinj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.