Zjarret në vend, Holanda mbështet Shqipërinë me dy helikopterë Chinook

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Holanda ka vendosur të mbështesë Shqipërinë duke dërguar dy helikopterë “Chinook” në luftën kundër zjarreve që kanë rënë ditët e fundit në vendin tonë.

Lajmin e bëri të ditur sot ambasada e Holandës në Shqipëri, e cila theksoi se, “autoritetet shqiptare i kanë kërkuar BE-së dhe vendeve anëtare që të ndihmojnë në luftën kundër zjarreve, që po përhapen aktualisht në jug të Shqipërisë”.

“Si përgjigje, Holanda ka vendosur të mbështesë Shqipërinë duke dërguar dy helikopterë Chinook. Chinook-ët janë të pajisur me kontenitorë të veçantë që mund të lëshojnë 10 mijë litra ujë për shuarjen e zjarreve dhe janë në gjendje të arrijnë në vende të vështira”, bën të ditur Ambasada holandeze.

“Për Holandën është e rëndësishme të punohet krah për krah me autoritetet shqiptare për të mbrojtur njerëzit, si dhe parqet kombëtare unike”, thekson Ambasada holandeze.

“Helikopterët Chinooks, së bashku me 47 ushtarakë holandezë, do të mbërrijnë këtë të premte ndërsa do të fillojnë operacionet ditën e shtunë”, përfundon Ambasada holandeze.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.