Situata e zjarreve në vend, MM: 13 vatra, mbi 500 efektivë të FA të angazhuar

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se aktualisht në vendin tonë janë 13 vatra zjarri.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur me anë të një njoftimi për shtyp se, në Gadishullin e Karaburunit, pavarësisht punës së palodhur e të pandërprerë të efektivëve të FA dhe shërbimit zjarrfikës ka ende prani vatrash zjarri, por pa rrezik për banesat.

Prani të zjarreve ka edhe në fshatin Cukal, në Shkodër, gjithashtu pa rrezik për banesat.

Në Gjirokastër, vijon zjarri në vatrat në luginën e Lunxhërisë, por pa rrezik për banesat. Forcat e FA po punojnë së bashku me ato të pushtetit vendor për shuarjen nga toka.

Puna po vijon për shuarjen e flakëve në kodrën e pishave në fshatin Arshi Lengo, ku veç forcave operacionale ndërhyrja vijon nga ajri me helikopter.

Zjarret në Fushë-Arrëz rrezikojnë të kalojnë në zonat e banuara, ndaj në ndihmë të forcave që po vijojnë punën prej orësh është dërguar edhe një helikopter për mbështetje nga ajri.

Vatra të tjera zjarri, por pa rrezik për jetët e njerëzve dhe banesave janë në monitorim në bashkinë Tepelenë, pyllin e fshatit Shetaj, në fshatin Manskuri në Durrës. Në fshatin Lukan në Dibër, në bashkinë Mallakastër dhe në fshatin Shelcan në Elbasan.

Ministria e Mbrojtjes thekson se, “në operacionet për shuarjen e flakëve në disa zona të vendit janë angazhuar mbi 500 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët vijojnë pa u lodhur punën nga toka dhe nga ajri”.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se, “në të gjithë vendin janë aktualisht 13 vatra zjarri. Në pjesën më të madhe të zonave nuk ka rrezik për banesat”.

“Po punohet me mbështetje edhe nga ajri në Fushë-Arrëz, ku paraqitet rrezik për kalimin e flakëve drejt zonave të banuara”, tha Peleshi.

“Të gjitha forcat operacionale dhe një mjet helikopter po punojnë për të izoluar vatrat në kodrën e pishave në fshatin Arshi Lengo”, theksoi ministri Pelelshi.

Peleshi shprehu, “mirënjohje dhe respekt për punën e palodhur të të gjithë forcave të FA, atyre të shërbimeve zjarrfikëse, por edhe vullnetarëve që na janë bashkuar”.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.