Shuhen të gjitha vatrat e zjarrit në Gjirokastër, vijon operacioni në Karaburun

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot se pas një pune të palodhur të efektivëve të Forcave të Armatosura dhe punonjësve të bashkisë, shërbimit pyjor si dhe forcave zjarrfikëse është bërë e mundur shuarja e të gjitha vatrave të zjarrit në Gjirokastër.

Por, sipas njoftimit për shtyp nga Ministria e Mbrojtjes, situata po mbahet nën monitorim.

“Puna nga forcat operacionale po vijon për shuarjen e zjarrit në gadishullin e Karaburunit. Një pjesë e forcave ndodhen në fshatin Delisuf, ku është riaktivuar vatra e zjarrit. Gjithashtu po punohet për shuarjen e flakëve edhe nga ajri”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, MM informon se zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau i Dejës, është izoluar në pjesën më të madhe të tij. Sipas njoftimit, kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla, të cilat po kontrollohen nga forcat në terren.

Zjarri në qytetin e Fushë-Arrëzit, bashkia Fushë-Arrëz, vazhdon me intensitet të ulët. Është izoluar një pjesë e madhe e vatrës dhe po punohet për shuarjen përfundimtare.

Po ashtu, zjarri ka përparuar në një pjesë shkëmbore, pak e pyllëzuar në fshatin Lukan, njësia administrative Selishtë, në bashkinë Dibër. “Vatra mbetet aktive, por pa probleme për përhapje të mëtejshme. Edhe aty janë angazhuar forca të pushtetit vendor, të cilat po mbajnë situatën nën kontroll”, thuhet në njoftim.

Në fshatin Zogas, në Skrapar, zjarri mbetet aktiv, por pa rrezik për banesat. Situata po ndiqet në vijim.

Në Elbasan, në vendin e quajtur “Gropat e Borës”, midis fshatrave Cerujë dhe Guri i Zi, njësia administrative Labinot-Mal, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pylli me bimësi të ulët. Situata edhe këtu është në monitorim.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.