Sejko: Zgjerimi i konsumit, investimet private dhe eksportet mbështesin rritjen ekonomike


TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se “rritja ekonomike në vijim do të mbështetet nga zgjerimi i konsumit, investimeve private dhe rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve”.

Në konferencën për shtyp të së mërkurës, Sejko tha se “ekonomia shqiptare u rrit me 5.5 % gjatë tremujorit të parë, duke tejkaluar pritshmëritë e tona”, teksa vuri në dukje se ekonomia do të vijojë trendin e rritjes.

Duke iu referuar treguesve makroekonomikë, Guvernatori u shpreh se në këtë tremujor inflacioni bazë ishte i qëndrueshëm, ndërsa kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.7 %.

Sipas tij, “pasojat e pandemisë vijojnë të jenë prezentë në ekonomi. Por inflacioni bazë ishte i qëndrueshëm dhe kreditimi shënoi rritje të qëndrueshme”.

“Në tërësi ecuria e inflacionit ka qenë subjekt i i luhatjeve të shpeshta e të papritura të faktorëve të ofertës. Nga ana tjetër, faktorët me ndikim afatmesëm të inflacionit shfaqen të qëndrueshme. BSH gjykon se rritja e qëndrueshme e punësimit dhe pagave do të ndjekë zgjerimin e kërkesës për mallra dhe shërbime. Ndërsa politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të vijojë të mbështesë gjenerimin e një ambienti financiar likuid të qetë dhe normal”, tha Sejko.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.