Risi dhe atraksion në rrugët e Durrësit

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Bashkia e Durrësit ka sjellë risi në rrugët e qytetit në këtë sezon turistik .

Për ta bërë sa më atraktive dhe estetike pamjen në rrugët e qytetit bregdetar është menduar që në hapësirën e vijave të bardha të vizatohen vargje nga autorë të njohur, por edhe pamje të tjera të artit figurativ.

Vargjet apo citatet janë shkëputur nga “Në parkun që mbulon fletët” nga Ismail Kadare, apo “Të fshehtat e treguara” nga Rexhep Qosja. Kjo mënyrë e re ka tërhequr së tepërmi vëmendjen e qytetarëve dhe të turistëve të cilët ndalojnë para këtyre vijave të bardha tepër të veçanta.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako shprehet: “Disa vargje nga poezi të kolosëve të letërsisë shqipe të shkruara në vijat e bardha të rrugëve kryesore të Durrësit janë jo vetëm imazh estetik arti, por dhe një mënyrë e re komunikimi që jep një mesazh të caktuar sidomos për të rinjtë. Ky dizajn urban që kemi realizuar dhe që është një risi, i sjell në kujtesë njerëzve librin, e po kështu ky art urban është një mjet që miqëson më shumë qytetarët dhe pushuesit e shumtë me qytetin”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.