Agjencia Telegrafike Shqiptare

Nuk justifikoi pasurinë e mangësi në njohjen e ligjeve, KPA shkarkon prokurorin Besim Hajdaramataj

TIRANË, 4 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot shkarkimin nga detyra të prokurorin e Tiranës, Besim Hajdarmataj, pavarësisht se KPK kishte vendosur konfirmimin e tij në detyrë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit arriti në këtë konkluzion, pasi mori në shqyrtim në seancë gjyqësore publike vendimin e KPK-së për sa i përket procesit të rivlerësimit të subjektit dhe pasi dëgjoi edhe konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit.

Lidhur me kontrollin e kriterit të pasurisë, sipas analizës financiare të kryer nga Kolegji për vitet 2010-2013, rezultoi se ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar krijimin e pasurive dhe përballimin e shpenzimeve në këto vite.

Kolegji konstatoi se rrethanat faktike të lidhura nga pretendimet e subjektit lidhur me kontributin financiar të vëllait të tij, Astrit Hajdarmataj, për blerjen e banesës, mbeten jo bindëse.

Lidhur me vlerësimin e aftësive profesionale, Kolegji konstatoi mangësi të thella në njohjen e ligjeve nga ana e Hajdarmataj.

Konkretisht, sipas KPA-së gjatë ushtrimit të detyrës në Kurbin ai ka demonstruar minimalisht mangësi të theksuar të njohurive të ligjit për shkak të rolit të tij pasiv në veprimtarinë hetimore. Problematikat e hasura, sipas KPA-së, janë serioze dhe të papranueshme.

Po ashtu, KPA konstatoi se në procedimin penal të vitit 2015 në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, përpos mangësive në zbatimin e ligjit, ka kufizuar hetimet e mëtejshme të aktivitetit kriminal në drejtim të veprave penale më të rënda.

Në vitin 2012, në cilësinë e drejtuesit të zyrës së Prokurorisë në Durrës, ka vendosur shpalljen e moskompetencës duke shmangur prokuroren e çështjes dhe duke e kaluar çështjen në Prokurorinë e Elbasanit.

Kolegji vlerëson se kjo vendimmarrje ka shmangur venien para përgjegjsisë së ligjit të personave nën hetim, duke qenë se hetimi është pushuar pas disa ditësh pasi çështja ka mbërritur në Elbasan.

Po ashtu në procedimet penale të vitit 2013 dhe 2017, KPA konstaton se në rolin e drejtuesit të zyrës, prej tij nuk është treguar kujdesi i duhur dhe nuk ka gjurmë të veprimtarisë së tij si drejtues. “Kjo tregon për mangësi në ushtrimin e aftësive drejtuese në disa çështje që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike dhe pasiviteti i tij në këtë çështje perceptohet si ndikim në drejtim të frenimit të forcës goditëse të ligjit ndaj këtyre veprimtarive.

Po ashtu, KPA shprehet se marrëdhëniet e tij me dy individë me precedentë penalë është një sjellje jo e denjë për një funksionar të nivelit të tillë.

Kolegji vlerësoi në tërësi të gjitha konstatimet dhe arriti në përfundimin se subjekti me veprimtarinë e tij ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë në një mënyrë të pariparueshme.

KPA nënvizon se vazhdimi i ushtrimit të detyrës së prokurorit nga ana e tij do të ishte i papërshtatshëm dhe në kundërshtim me ligjin, ndaj vendosi shkarkimin e tij nga detyra.

Vendimi është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. /m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version