Nga 1 shtatori, vendet e CEFTA-s me rregulla të reja të tregtisë së ndërsjellë

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Nga 1 shtatori nisin të aplikohen rregullat e reja të origjinës preferenciale për tregtinë e mallrave mes vendeve të CEFTA-s, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, rregullat e përmirësuara do të jenë kalimtare dhe do të pushojnë së zbatuari kur konventa PEM (Konventa Rajonale mbi Rregullat e Origjinës Preferenciale Pan-Euro-Mesdhetare) e rishikuar të miratohet dhe hyjë në fuqi nga të gjitha palët.

Në ligjin për ratifikimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore i botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se deri në pritje të përfundimit dhe të hyrjes në fuqi të ndryshimit të konventës, palët e CEFTA-s kanë rënë dakord të zbatojnë rregullat kalimtare të zbatueshme të origjinës.

Pritet që rregullat e reja të lehtësojnë dhe zhvillojnë më tej tregtinë e ndërsjellë ndërmjet vendeve pjesëmarrëse në konventë dhe me të cilat Shqipëria zbaton një marrëveshje të tregtisë së lirë, pasi rregullat e reja janë më të thjeshta dhe më fleksibël.

Në zbatimin e këtyre rregullave do të përfshihen të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë dhe Republikën e Kosovës, në zonën Pan-Euro-Mesdhetare të kumulimit diagonal dhe të plotë.

Bizneset do të kenë mundësi zgjedhjeje, ose të përdorin rregullat aktuale të konventës PEM, ose rregullat kalimtare “alternative”, cilado që të jetë më e dobishme për ta.

Pas ratifikimit vendimi i Komitetit të Përbashkët do të zbatohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe monitorohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.