Mural Fest Tirana rikthehet edhe këtë vit me artistë nga e gjithë bota

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Nga 24 gushti, artistë nga e gjithë bota do të udhëtojnë drejt Tiranës për artin e magjishëm të ngjyrave murale.

Lajmin e mirë e ka dhënë vetë kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, i cili shprehet se “Mural Fest Tirana vjen edhe këtë vit! Nga 24 gushti, artistë nga e gjithë bota udhëtojnë drejt Tiranës për artin e magjishëm të ngjyrave murale”.

Pjesë e Mural Fest priten të jenë artistë urbanë me famë ndërkombëtare nga Gjermania, Italia, Spanja, Greqia, Indonezia, etj.

Ky event i kthyer tashmë në një traditë të bukur për kryeqytetin, është një festival ngjyrash, ku vepra shkrihet me fasadën përkatëse në varësi të hapësirës urbane që do të zërë.

Festivali synon t’i japë një imazh të ri hapësirave të qytetit duke sjellë një energji shumë të bukur e duke lënë një muze të hapur në natyrë. Jeta e përditshme, rruga dhe historitë e saj janë të ndërthurura, duke u rritur në mure dhe reinventuar në një përzierje të gjuhëve në një mënyrë për të krijuar identitetin dhe ridizajnimin e hapësirës urbane, duke synuar ndërtimin e një historie të re.

Ky shkëmbim kulturor ka kaluar kufijtë dhe ka krijuar në Tiranë një pikë të ngrohtë pritëse të artit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.