99-vjetori i lindjes së Loro Boriçit, një nga futbollistët më të njohur shqiptarë

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Si sot 99 vite më parë lindi Loro Boriçi, një nga futbollistët më të njohur shqiptarë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot 99-vjetorin e lindjes së futbollistit dhe trajnerit të shquar shkodran, Loro Boriçi, emrin e të cilit mban edhe stadiumi i Shkodrës.

Ai ishte një nga futbollistët më të njohur shqiptarë. Lindi në Shkodër, ku me “Vllazninë” luajti vitet e para, për të provuar më pas Serinë A italiane me ekipin e “Lacios”.

Aventura italiane nuk zgjati shumë, pasi pas dy vjetësh kthehet përsëri në “fushën” shqiptare.

Suksesi më i madh i tij ka qenë Kupa Ballkanit me kombëtaren e Shqipërisë në 1946.

Gjatë 20 viteve të karrierës, Boriçi do të luante për “Partizanin”, “Vllazninë” dhe “Spartakun” e Tiranës.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist do fillonte atë të trajnerit. Drejtoi kombëtaren e Shqipërisë, “Spartakun” e Tiranës, “Partizanin”, “Lokomotivën” e Durrësit e për disa vite edhe kombëtaren e RP të Kinës.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi edhe një foto të Loro Boriçit midis nxënësve të tjerë në Kolegjin Saverian, në Shkodër.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.