Zjarret në Gjirokastër, Kote për ATSH: Helikopteri po vijon me shuarjen e vatrave


TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Vazhdon operacioni për vënien nën kontroll dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në fshatrat Arshi Lengo, Asim Zeneli, Krinë, Dhoksat, Qestorat e Tranonishtë në Gjirokastër.

Prefekti i Gjirokastrës, Odise Kote në një prononcim për ATSH-në bën të ditur se disa familje janë evakuuar, ndërsa po vijon operacioni për shuarjen e zjarreve.

Kote u shpreh se si pasojë e zjarrit një banor nga fshati “Asim Zeneli” humbi jetën, ndërsa ka pësuar dëmtime edhe bashkëshortja e tij.

“Jemi duke evakuuar njerëzit. Helikopteri po vijon me shuarjen e vatrave të zjarrit. Në fshatin Arshi Lengo situata paraqitet më problematike, pasi janë përfshirë nga flakët edhe pishat pranë banesave”, deklaroi Kote për ATSH-në.

Sipas tij, në operacion po marrin pjesë forca dhe mjete të shumta.

“Në operacion po marrin pjesë 21 forca me 6 mjete zjarrfikëse të bashkisë Gjirokastër, 5 zjarrfikës me 2 mjete të bashkisë Dropull, 4 zjarrfikës me 1 mjet të bashkisë Tepelenë, 20 forca dhe 2 mjete të DMR Gjirokastër, shërbimi ambulancës me 3 mjete dhe personel, 20 punonjës policie, 70 forca bashkiake me 15 mjete transporti, si dhe banorë të këtyre fshatrave. Në orën 19:15 helikopteri ka bërë zbrazjen e parë. Tempi i zjarrit është në rënie”, tha Kote.

Sipas Kotes, dëmet janë të konsiderueshme.

“Janë djegur sipërfaqe të mëdha me pyje, shkurre, vreshta, pemë frutore në afërsi dhe pronë të këtyre fshatrave”, u shpreh ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.