Vatër zjarri e rrezikshme në Lunxhëri, Peleshi: Flakët shumë pranë banesave

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Në Bashkinë e Gjirokastrës është shfaqur një tjetër vatër zjarri e rrezikshme në njësinë administrative Lunxhëri – Antigone, ku si pasojë e erës situata është rënduar dhe zjarri është shumë pranë banesave.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri të ditur se në vendngjarje po punojnë strukturat e Mbrojtjes Civile dhe se në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe Forcat e Armatosura.

Ministri u bëri thirrje banorëve të jenë bashkëpunues me strukturat shtetërore për të zbatuar urdhrin e evakuimit.

Rreth 22 hektarë pyje dhe kullota janë prekur deri tani nga zjarret që përfshinë qarkun e Gjirokastrës.

Dy vatrat e zjarrit në Gjirokastër, ajo në fshatin Palokastër dhe në fshatin Qestorat janë vënë tashmë nën kontroll.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.