U asfiksua gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit, Peleshi: Gjendja e efektivit e qëndrueshme

TIRANË, 3 gusht/ATSH/- Një efektiv i Forcave të Armatosura është asfiksuar, si pasojë e ndërhyrjes dhe luftës me flakët në terren, në fshatin Krinë të Gjirokastrës. Efektivi i Forcave të Armatosura Edlir Goxhaj ndodhet në Spitalin e Gjirokastrës, ku po merr trajtimin mjekësor.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi vizitoi sot efektivin Goxhaj, i cili u asfiksua gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit në Gjirokastër.

“Gjendja e Edlir Goxhaj është e qëndrueshme. Vazhdon të jetë nën monitorimin e mjekëve të Spitalit të Gjirokastrës”, informoi ministri Peleshi.

Ministri shprehu mirënjohje për punën heroike të efektivëve të Forcave të Armatosura.

“Mirënjohje për punën heroike të çdo efektivi të Forcave të Armatosura që nuk po kursen asgjë përballë egërsisë së flakëve”, tha Peleshi.

Peleshi i uroi shërim të shpejtë efektivit të FA-ve. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.