Agjencia Telegrafike Shqiptare

Hapet pika e përbashkët kufitare Shqipëri-Mali i Zi në Grabom, Krivokapić: Qytetarët do kalojnë pa pritur dhe pa humbur kohë

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Në Grabom të Malësisë së Madhe u hap sot pika e përbashkët kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapić deklaroi sot gjatë ceremonisë së hapjes së kësaj pike kufitare se, “kjo është pika e dytë e tillë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi”.

“Sigurisht kufijtë shtetërorë, si edhe gardhet që kemi pasur dikur, janë aty për të kufizuar një territor, dhe unë duke qenë se i përkas një gjenerate pak më të vjetër më kujtohet shumë mirë kur kemi pasur një perde të hekurt, një kufi të hekurt mes Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë. Dhe pikërisht këto kazerma dhe këta bunkerë që kemi pasur këtu kanë dëshmuar sikur kemi jetuar në dy planetë të ndarë, pa komunikim dhe pa miqësi”, tha Krivokapić.

Dhe, shtoi ai, “kjo dëshmi pas vetëm 30 vitesh dëshmon se sa të hatashme janë këto regjime, të cilat nuk lejojnë komunikim të banorëve nga të dyja anët e kufirit. Nuk mundësojnë komunikimin e mallrave dhe komunikimin e kapitalit”.

Dhe, nënvizoi ai, “pikërisht falë përpjekjeve tona të përbashkëta në drejtim të BE, tani kemi këto pika kufitare moderne. Pika moderne që dëshmojnë për miqësinë dhe besimin mes dy shteteve tona dhe që është më e rëndësishme, u mundësojnë qytetarëve që të kalojnë, të komunikojnë lirshëm, pa pritur dhe pa humbur kohë në këto pika kufitare”.

Krivokapić theksoi se, “ky eveniment sot dëshmon për marrëdhëniet mes dy popujve tanë. Këto marrëdhënie kanë qenë gjithmonë të tilla që kanë pasur një dukuri të veçantë, që thotë se atë që e thoni duhet dhe ta plotësoni. Premtimin që bëni duhet ta mbani. Besa e dhënë në Shqipëri, apo fjala e dhënë në Mal të Zi, nuk ka kërkuar as vulë, as kontratë, por gjithmonë është respektuar”.

“Dhe pikërisht sot dëshmojmë dhe marrim pjesë në një eveniment, i cili është masa e të sotmes, sot që jemi në një kohë të shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, ku shpejtësia e jetës është e tillë që ne duhet të ngasim që ta zëmë atë dhe duhet të kemi besim se rruga jonë e vetme është ajo drejt BE”, tha Krivokapić.

Por, shtoi ai, “ky është dhe konfirmim i forcimit të lidhjeve tona, i konfirmimit të realizimit të potencialeve të këtyre vendeve, por gjithashtu edhe vlerësimi i asaj që tregon se do të vazhdojmë investimet në këtë fushë”.

“Mali i Zi është drejtuar dhe ka marrë rrugën e zhvillimit të mençur, të qëndrueshme dhe përfshirëse. Kjo do të thotë se ne njëri pa tjetrin nuk mundemi, bashkë mundemi të realizojmë shumë. Dhe njëri me tjetrin gjithmonë duhet të jemi të drejtuar. Të forcojmë jo vetëm ekonominë, por edhe kulturën, shkencën, arsimin dhe shëndetësinë, sepse këto janë 5 fusha pa të cilat asnjë vend nuk ka zhvillim të drejtë”, tha Krivokapić, i cili shprehu mirënjohjen për të gjithë, veçanërisht për Kryeministrin Edi Rama, i cili, tha ai, “ka ardhur sot të na nderojë për hapjen e kësaj pike të përbashkët kufitare”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version